Analisti Mentor Nazarko komentoi zhvillimet e fundit në Serbi ku mbi 100 mijë studentë dhe pjesëmarrës të shoqërisë civile u organizuan në protestë. Sipas tij, është tregues i qartë që Serbia ka shoqëri civile e cila nuk është e organizuar si një parti apo subjekt politik.
Në intervistën e tij, Nazarko u shpreh se popullariteti i Vuçiç sipas sondazheve vazhdon të mbetet i lartë.
“Është tregues i qartë që Serbia ka shoqëri civile, ka ndjeshmëri antiregjim që vjen nga studentët dhe nga organizime sindikale që janë bashkë. Preteksi i këtij mobilizimi masiv është humbje jetësh nga rënia e një çatie në stacioni hekurudhor dhe prej atij momenti kemi bllokim rrugësh ku para dy ditësh pati kulmin e vet me mbi 100 mijë pjesëmarrës. Siç e tregojnë sondazhet në Serbi, Vuçiç vazhdon t’i ketë kuotat e larta të popullaritet po ashtu dhe partia e tij, ndërsa opozita mbetet me kuota të ngjashme. Vjen për dy arsye, opozita nuk ka ditur të përfaqësoj atë ndjeshmëri që shfaqet nga ata që janë organizatorë të protestës. Këta që janë organizatorë nuk kanë ditur të organizohen në formën e një partie politike apo subjekti të ri. Vuçiç vazhdon që të mbajë në kontroll mediat në Serbi dhe në një shtet ku 1/3 e popullsisë nuk kanë kontakt me mediat elektronike, me rrjetet sociale është e lehtë që të qarkullosh një të vërtetë që është e vërteta e regjimit. “ / abcnews.al