Kongresi amerikan shqyrton mundësinë e ndalimit të tregtimit të dronëve kinezë

schedule07:20 - 24 Dhjetor, 2024

schedule 07:20 - 24 Dhjetor, 2024

Rivaliteti ekonomik dhe teknologjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës tashmë është shfaqur edhe tek tregu i dronëve, ku markat kineze janë dominuese.

Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e ndalimit të tregtisë së mëtejshme të dronëve nga dy kompani kineze, me argumentet se pajisjet mund të përdoren për të spiunuar amerikanët dhe se modelet me kosto të ulët po dëmtojnë industrinë e amerikane të dronëve.

Një projektligj për mbrojtjen, i miratuar nga Kongresi javën e kaluar, synon ndalimin e tregtisë së dronëve të prodhuar nga firmat “DJI Technology” dhe “Autel Robotics”, nëse përfundimet e një hulumtimi tregojnë se përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare amerikane.

Por përdoruesit amerikanë, që nga punonjësit e rendit, fermerët, topografët, industria e filmit, varen nga dronët e prodhuar në Kinë, kryesisht të firmës DJI.

LIGJVËNËSIT: DRONËT KËRCËNM PËR SIGURINË KOMBËTARE

Ligjvënësja republikane, Elise Stefanik e cila përfaqëson Nju Jorkun dhe është përzgjedhur nga Presidenti i ardhshëm Donald Trump për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në OKB, ka drejtuar përpjekjet në Dhomën e Përfaqësuesve për të ndaluar tregtinë e mëtejshme të dronëve kinez, duke thënë se amerikanët janë bërë shumë të varur prej tyre.

“Është strategjikisht e papërgjegjshme që të lejojmë Kinën komuniste të jetë fabrika jonë e dronëve”, argumentoi ajo.

Përdorimi i dronëve në jetën e përditshme e shtyu Senatorin republikan Rick Scott, i cili përfaqëson Floridën, që ta detyronte Kongresin të kufizonte blerjen e dronëve kinezë për agjencitë federale. Këto kufizime u përfshinë në një projektligj të nënshkruar nga Presidenti Joe Biden vitin e kaluar.

Senatori Scott i ka krahasuar dronët kinezë me balonat spiune që mund të “mbledhin të dhëna ose të transportojnë ngarkesa të dëmshme” në të gjithë Amerikën, duke paraqitur rreziqe për bazat ushtarake, infrastrukturën kritike dhe burimet natyrore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!