Policia e Tiranës ka përgenjeshtruar kreun e PD-së Sali Berisha se efektivët sulmuan Agron Gjekmarkaj, i cili u dërgua me urgjencë te Trauma. Në një reagim zyrtar, policia thotë se Gjemarkaj nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe për këtë arsye është larguar nga protesta e opozitës.
“Deputeti Gjekmarkaj nuk është goditur nga asnjë punonjës policie, por, nga të dhënat e para, rezulton se ai nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe është larguar nga protesta. Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këto deklarata dhe, mbi të gjitha, për veprimet e dhunshme të deputetit Flamur Noka, i cili jo vetëm nuk iu bind urdhrit të Policisë për të liruar rrugën, por ka kundërshtuar me dhunë, duke shtyrë, fyer dhe goditur punonjësit e Policisë që ishin në detyrë për të liruar rrugën me qëllim lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.”, thotë policia.
Policia njofton gjithashtu se janë evidentuar personat që bllokuan rrugën dhe kundërshtuan efektivët.
“Bllokimi i rrugëve është vepër penale, çka u është bërë e qartë organizatorëve të protestës në përgjigjen e kthyer nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, që mori përsipër garantimin e protestës, por pa bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.“, thuhet në reagim./abcnews.al