Orët e tmerrit nga tërmeti, rrëfehet Nikac: Çfarë të shikoja, jam ende i shokuar!

schedule09:57 - 29 Nëntor, 2019

schedule 09:57 - 29 Nëntor, 2019

Darko Nikac ka parë tmerr me sy. Sulmuesi i Teutës ka rrëfyer momentet e vështira që ka përjetuar gjatë tërmetit që shkatërroi banesa dhe shkaktoi viktima në Durrës dhe Thumanës. E ka të vështirë edhe të flasë, edhe pse ndodhet në Podgoricë.

“Tërmeti i parë u ndje rreth orës dy pas mesnate, por nuk ishte i tmerrshëm. Kështu që u ktheva për të fjetur”, rrëfen fillimisht Nikac, i intervistuar nga gazeta malazeze, “Dvevne”. Sulmuesi vijon të tregojë momentet e frikshme që ka përjetuar.

“Ai i orës katër, më pas, u ndje shumë. Nuk e dija se çfarë po ndodhte në fillim. Ishte një katastrofë. Jeni duke u tronditur dhe duke u rrëzuar, ndërkohë që keni gruan dhe fëmijën pranë. Mund të thuash që jeni në një situatë të pashpresë, fjalë për fjalë”, shton malazezi.

Apartamenti i Darko Nikac, i shkatërruar

Mendimi i parë në kokën e tij ka qenë të lërë banesën: “U përpoqa të hap derën, por ishte bllokuar. Më pas tentova të thyeja atë, por nuk ia dola dot. Pritëm të ndalonte tërmeti dhe më pas u larguam nga banesa. Morëm vetëm ushqim për fëmijën dhe vrapuam jashtë”. Edhe jashtë situata ishte e rëndë.

“Çfarë të shohësh aty. Një hotel përtej rrugës ishte bërë një me tokën. Qëndruam në një lulishte, për të pritur që situata të qetësohej. Isha akoma i tronditur. Gruaja ime arriti të merrte çelësin e apartamentit dhe u nisëm direkt për në Podgoricë. Fola me trajnerin dhe më dha leje të largohem për në shtëpi për 2-3 ditë”, rrëfen Nikac.

Futbollisti 29-vjeçar është i sinqertë, teksa pranon se ishte momenti më i vështirë që ka kaluar në jetë. “Tërmeti rrëzoi gjithçka dhe unë isha me fat. Është e pamundur ta përshkruash atë që ndodhi. Ishte si një film. Dy ose tre ndërtesa u rrënuan dhe ranë në tokë pas tërmetit të dytë.

Është gjëja më e frikshme që kam parë në jetë, je i pafuqishëm për të bërë diçka. Thjesht pret se çfarë do të ndodhë. Uroj të mos i ndodhë askujt diçka e tillë”, tregon shtatlarti i sulmit të Teutës. Rëfimi i tij vazhdon: “Më thanë që nuk ka mbetur asnjë makinë në Durrës. Shokët e skuadrës, veçanërisht të huajt, u drejtuan për në shtëpi ose janë larguar në zonat përreth, në shtëpi të sigurta”.

Hyrja e pallatit ku jeton Nikac

“Në ato momente humbasin besimin të gjithë dhe janë të pafuqishëm. Të gjithë vraponin, pa marrë parasysh asgjë. Nuk kishte as energji elektrike. Ju nuk dini as çfarë t’u thoni njerëzve, thjesht prisni. Sinqerisht, ua them që jam akoma i shokuar. Po të kisha qenë vetëm, do të ishte më e lehtë. Por me një grua dhe një fëmijë të vogël pranë, nuk mund të kujdesesh dot”, shton Nikac.

Sulmuesi pyetet edhe në lidhje me futbollin dhe Teutën: “Askush nuk mendon për futbollin. Ndeshjet e fundjavës janë shtyrë dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Kam lexuar dhe kam dëgjuar se shumë njerëz kanë humbur jetën, sikurse edhe janë lënduar shumë të tjerë. Një fatkeqësi e vërtetë”.

“Në fillim synonim titullin, por tani qëllimi kryesor janë kupat e Europës. Në përgjithësi nuk është se luajmë keq. Sa i takon aspektit personal, nuk jam i kënaqur me përformancën time. Gjithashtu edhe nuk marr disa topa, për shkak se na mungon ritmi. Askush nuk është i kënaqur me rezultatet, as unë, as klubi, as lojtarët e tjerë.

Kampionati është i vështirë, mbase më i vështiri ku kam luajtur. Të shohim çfarë do të ndodhë në janar, kur të hapet merkatoja. Por përsëri e them, tani askush nuk mendon për futbollin. Për momentin thjesht do të shohim pasoja e gjithë kësaj katastrofe që ka ndodhur”, përfundon Nikac rrëfimin e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!