TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit për vitin 2024, ka vijuar me votimin e projektligjeve të parashikuara në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Sakaq, Kuvendi ka miratuar me 74 vota pro ngritjen e shërbimit rezervist në Shqipëri. Po ashtu, është votuar projektligji për anulimin e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se ligji shfuqizon gjobat e vendosura nga 1 janari 2015- 30 nëntor 2024.
“Është një ligj i rëndësishëm, nuk është amnisti, sepse iu referuan faktit që është amnisti, madje nuk është as falje. Projektligji nuk fal gjë, por shfuqizon masat administrative nga 1 janari i vitit 2015 dhe deri më 30 nëntor 2024”, tha Braçe.
Ky projektligj mori në parim vota edhe nga ana e opozitës, të cilët kanë bashkuar votat me shumicën socialiste. Në total janë 9 deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre dhe sekretari i përgjithshëm Flamur Noka që kanë votuar “pro”. Por në tërësi ligji kaloi vetëm me votat e maxhorancës, 73 pro.
Deputetët e opozitës që dhanë votën pro në parim për faljen e gjobave:
Bujar Leskaj
Jorida Tabaku
Elda Hoti
Albana Vokshi
Flamur Noka
Dashnor Sula
Asllan Dogjani
Ilda Dhori
Zheni Gjergji/abcnews.al