Zoica Haxho diti të vdesë

schedule15:19 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 15:19 - 19 Dhjetor, 2024

Nga Frrok Çupi,

S’ka shumë kohë qyshse Zoica Haxho shkoi qetësisht për në jetën tjetër.

Aq qetësisht shkoi siç kishte ecur një jetë të tërë ‘majë gishtash’.

Balerina e famshme e baleteve të mëdhenj që nga Moska në Tiranë, kurrë nuk bëri zhurmë as bujë; por ama edhe largimin e pati siç luajti në skena ‘majë gishtash’.

Zoica është krijuese e heroinave të paharrueshme që nga Lola në baletin “Lola” te Franceska në “Franceska da Rimini,” Hajria në “Halili dhe Hajria,” Delina në “Delina” dhe Cuca në “Cuca e maleve”, e sa të tjerë.

Studioi në Bashkimin Sovjetik dhe luajti si balerinë e parë në ‘Balshoi Teatër’ (Great Theater). Balsshoi ishte shkollë e baletit në botë, që këtë vit, 2025,  mbush 200 vjet jetë.

Zoica Haxho u shpall ‘Heroinë e Punës Socialiste’.

Që ditën kur shkoi, këtë Dhjetor ne datë 1, është kujtuar vetëm nga një shkrim i vetëm i botuar ‘copy paste’ në katër a pesë media.

Njerëz që idolatrojnë me figurën e artistes, idolatrojnë si me perëndinë e tyre, rrudhën ballin se ‘nuk u fol për Zoicën…, për kë tjetër do të flitet nëse jo për këtë?!’. Ka njerëz që, nga kinse dashuri,  ia ‘marrin shpirtin’ shenjtores së tyre, siç po ndodh me ‘histerinë e artit’ këto ditë.

Kush adhuron kategorinë e artistes Zoica, edhe ky është i atij karakteri që heroit të vet nuk ia ‘nxjerr ujin e zi me vaje, psherëtima ose dhimbje’.

Zoica Haxho, prej kohe ishte futur në kohën e vet dhe në fund diti të vdesë.

Kur ishte ‘Heroinë e Punës’, ishte mes njerëzve dhe heronjve të punës, i kishte hije si rrallë kujt. Pastaj koha e saj shkoi. Edhe kombinati i madh i tekstileve në Berat ku kishte kaluar fëmijërinë, u dogj e u grabit…, atëherë ç’kuptim do kishte!? Edhe puna, si fjalë dhe si nocion, u hodh në gjërat e mallkuara… Atëherë ç’i duhej më Zoicës që mbante titullin njësoj si ndërtuesit e hidrocentraleve, si projektuesit  kanaleve vaditës, si gjuhëtarët e mëdhenj, si minatorët…

Zoica nuk u shfaq më, jo për inat as për dëbim…, por se ‘mbaroi punë’. Kaq ishte. Edhe Ismail Kadare, ky artist i madh me përmasa botërore, vite e fundit kishte thënë shkoqur: ‘Ç’kisha për të thënë, e thashë…, tani nuk kam më!’.

Njerëz të mëdhenj që nuk u varen në qafë as lexuesve as spektatorëve të tyre të dikurshëm. Këta janë kolosë me limite, nuk janë lugetër që bëjnë dritë edhe në cungun e lisit të vdekur.

Vjen një ditë dhe kaq ishte. ‘Të vdesësh është art’, shkruan Margret Atwood, shkrimtare nga Kanadaja. ‘Siç edhe arti për të jetuar është e njëjta gjë’.

Ku do të jetonte Zoica Haxho, në tallava?

Qysh se u dogj kombinati në fushën e Beratit, në  fushën e artit nisi të vërshojë ‘arti tallava’. Tallavaja u bë modë e ‘njeriut të ri’. Zoica as mund ta ndalte, as që i shkoi në mendje që të dilte në rrugë, të bënte heroin anti- tallava (do të quhej heroina anti- kohë), dhe as e bëri kurrë këtë shëmtim. As Kadare, as Agolli, as Zadeja, as Cingu, as Mula…, askush nuk u tundua për këtë luftë. I hapën rrugën asaj që po vinte, s’ka gajle pse aq e shëmtuar sa ‘tallavaja’ (!).

Tallavaja hyri në art, hyri në politikë, në marrëdhënien shoqërore, në gjykatë, në kisha e xhami, në dasma, në shijen e dobët të shtëpiakeve. Tallavaja është ngjitur deri në Teatrin e Operës apo Universitetin e Arteve.

Çfarë është kjo? Mijëra njerëz mund të bëjnë këtë pyetje, edhe pse jetojnë me tallavanë… Është një kulturë e ulët, e pa dashje për përsosje, e pa qytetëruar, e pa kohë. Nuk prodhon asnjë vlerë, prodhon vetëm klikime në media sociale. Klikimet bëhen si gjilpëra me ilaç të kundërt, ose si plumba…, që vrasin vlera.

Zoica do të ishte mes këtij ‘arti’, e prandaj qysh atëherë nuk u duk më.

Nuk kishte as më të voglën brengë pse nuk po e ndalte hovin e asaj që po vinte. As pse nuk po kujtoheshin njerëzit me mijëra që kishin pritur me orë në shkallët e ‘Operas në Tiranë’ derisa të shfaqej Zoica.

Jo. Zoica nuk jetoi me idenë se bota i ka borxh. Artisti, kush është artist, e di se bota nuk i ka borxh asgjë. Se në fund të fundit bota ka lindur e para. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!