Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të enjten, prishjen e vendimit për dënimin ndaj ish-ministrit Lefter Koka, ish-deputetit Alqi Bllako dhe 10 të pandehurve të tjerë të akuzuar për atë që njihet si afera e inceneratorit të Fierit.
Tashmë çështja do të kthehet në pikën zero, pasi do të rigjykohet në Shkallën e Parë nga një trupë tjetër gjyqësore.
Vendimi u mor pas ankimit të Prokurorisë së Posaçme që kundërshtoi masën e dënimit dhe pafajësinë e disa prej të akuzuarve në aferën për Inceneratorin e Fierit. Nga ana tjetër disa prej të pandehurve, kundërshtuan akuzat dhe dënimin, duke kërkuar në Apel pafajësi.
Në shtator të vitit të kaluar, gjykata e shkallës së parë kundër krimit dhe korrupsionit, dënoi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka me 6 vite e 8 muaj burg.
Alqi Bllako mori pafajësi për shpërdorim detyre të funksionarit, por iu rikualifikohet vepra në shpërdorim detyre të nëpunësit, vepër për të cilën u dënua me gjykim të shkurtuar 2 vite e 8 muaj burgim. Klodian Zoto u dënua për korrupsion pasiv, skema mashtruese dhe pastrim parash, me 8 vite burgim.
Ndërsa Arben Dervishaj I akuzuar për “Falsifikim dokumentash” dhe “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”, u shpall I pa fajshëm edhe pse spak kërkoi dënim me 7 vite burg.
Të pa fajshëm u shpallën edhe Juri Imeraj, administrator I një prej kompanive që ka kryer punime në Inceneratorin e Fierit si dhe Arjola Kodra në cilësinë e administratores së kompanisë “Integrated Energy”. Për Imerajn SPAK kërkoi dënimin me 7 vite burg dhe për Kodrën 3 vite heqje lirie.
Prokuroria e Posaçme, hetimet për inceneratorin e Fierit i mbylli në dhjetor të vitit 2022. Sipas gjetjeve të SPAK, për inceneratorin e Fierit u paguan miliona euro për punë që nuk u kryen asnjëherë.
/abcnews.al