“Vota e diasporës, mision i përmbyllur”/ Rama: Për herë të parë, qytetarët shqiptarë jashtë vendit do ushtrojnë të drejtën e votës

schedule09:47 - 19 Dhjetor, 2024

schedule 09:47 - 19 Dhjetor, 2024

Kryeministri Edi Rama, në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, deklaroi se vota e diasporës ishte një mision jo i thjeshtë por i përmbyllur. Ai theksoi se për herë të parë në historinë demokratike të vendit, shqiptarët jashtë vendit, do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Jemi sot me kokën lart përpara gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye që tanimë është një mision i përmbyllur të paktën sa na takon ne, vota e diasporës, një mision jo i lehtë, që është i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe në numër sesa ajo e një shumice qeverisëse, arsye për të cilën jemi vonuar për një kohë të gjatë.

Por më në fund, besoj edhe si rezultat i punës së Këshillit Kombëtar të diasporës, dhe mobilizimit të zërave në diasporë, u realizua dhe sot jemi në prag të një procesi zgjedhor kur për herë të parë në historinë demokratike, qytetarët shqiptarë janë vendit do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin që të udhëtojnë në Shqipëri por thjesht duke përdorur postën nga ku banojnë. Është sfidë më vete.

Nuk e shoh kryetarin e KQZ, por me siguri do të jetë i pranishëm më tutje për të dhënë edhe ai këndvështrimin e tij teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe nevojën e mobilizimit të të gjithëve për ta ushtruar atë të drejtë sepse është një proces që herën e parë është kompleks për të realizuar regjistrimin si votues dhe më pas bëhet më i thjeshtë”, u shpreh Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!