Një imazh i Google Street View i një burri që ngarkon një qese të madhe plastike të bardhë në bagazhin e makinës së tij ka ndihmuar në zbardhjen e një rasti vrasjeje në një qytet verior të Spanjës.
Aplikacioni i Google, që u lejon përdoruesve të shohin imazhe të rrugëve anembanë botës, kapi pikërisht momentin kur dyshohet se po hiqej trupi i viktimës.
Dy persona u arrestuan muajin e kaluar, të akuzuar si përgjegjës për zhdukjen dhe vrasjen e një burri në tetor të vitit të kaluar. Eshtrat e tij të copëtuara u gjetën në një varrezë javën e kaluar.
Megjithatë, policia tha se imazhet nuk ishin “vendimtare” në zbardhjen e vrasjes.
Viktima mashkull, një shtetas kubanez 33-vjeçar, u raportua i zhdukur në tetor 2023 pasi një i afërm mori mesazhe me tekst nga telefoni i viktimës, të cilat i gjeti të dyshimta. I afërmi i tha policisë se viktima kishte takuar një grua, po largohej nga Spanja dhe do të hiqte qafe telefonin e tij.
Më 12 nëntor të këtij viti, policia arrestoi një grua që thuhet se ishte partnerja e burrit të zhdukur dhe një burrë që thuhet se ishte ish-partneri i saj./abcnews.al