Kryeministri Edi Rama e cilëson grupkapitullin gjashtë jo të vështirë, pasi sipas tij, Shqipëria ka qenë në harmoni me politikat e BE, sa i përket diplomacisë dhe sigurisë.
Në Bruksel, në konferencën për shtyp pas mbajtjes së konferencës së tretë ndërqeveritare, Rama deklaroi se shqiptarët duan anëtarësimin në BE.
“Së pari, kam mësuar që nuk ka kapitull apo ndonjë paragraf që është i lehtë me BE, çdo gjë duhet të kalojë në shqyrtim, bashkëpunim të ngushtë, nëpërmjet dialogut të përbashkët, ne presim, siç e kam thënë që të hapim grupkapitujt, por nuk po e gënjejmë veten, ka për të qenë punë e vështirë, duhet të përmirësojmë çdo hap,. Prandaj e vlerësoj shumë këtë proces. Ndihmon vendin të rritet, të piqet, të transformohet dhe të bëhet një shtet ku institucionet janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Për këtë grupkapitull që kemi hapur sot, nuk është fort e vështirë, Shqipëria ka qenë në harmoni me politikat e BE, sa i përket diplomacisë, sigurisë. Shqiptarët janë mbështetës për këto politika. Ne duam të martohemi me BE. Të harrojmë të gjitha divorcet e së kaluarës.
Nuk ka kthim mbrapa, vetëm rrugë përpara. Duhet t’i japim shqiptarëve atë që presin, po e presin me shekuj. Po sjell një fjali emblematike të poetit tonë kombëtar, poeti i Rilindjes sonë, ka shkruar që për shqiptarët, dielli lind aty ku perëndon, në perëndim”, theksoi ai./abcnews.al