BBC i është ankuar Apple për titujt e rremë të krijuar nga funksioni i saj i ri, i cili përdor inteligjencën artificiale (AI) për të përmbledhur dhe grupuar lajmet në iPhone.
Funksioni i ri ‘Apple Intelligence’ i lançuar së fundmi në MB përdor AI për të shkurtuar dhe përmbledhur lajmet. Megjithatë, këtë javë artikulli i ri keqinterpretoi se BBC kishte publikuar një histori që thoshte se Luigi Mangione, i arrestuar me dyshimin për vrasjen e ekzekutivit të sigurimeve në Nju Jork, Brian Thomson, kishte kryer vetëvrasje, një pretendim që nuk ishte i vërtetë.
BBC tha se kishte kontaktuar Apple për të tërhequr vëmendjen e saj për problemin dhe për të kërkuar që gabimi të korrigjohej. Rrjeti mediatik britanik thekson se për ta është jashtëzakonisht e rëndësishme që përdoruesit e tyre t’i besojnë informacioneve që shpërndahen nën emrin e tyre.
Organizata të tjera lajmesh janë përballur me probleme të ngjashme, sipas BBC.
Në fund të nëntorit, funksioni i Apple Intelligence kombinoi gabimisht tre lajme të ndryshme në një njoftim të vetëm ku shkruhej “Netanyahu u arrestua”, i cili ishte një interpretim i gabuar i një raporti në lidhje me një urdhër ndërkombëtar për kryeministrin izraelit.
Ky funksion i ri i Apple është i disponueshëm vetëm në disa pajisje iPhone dhe iPad, si dhe në kompjuterë Mac. Ekspertët paralajmërojnë se është ende e nevojshme të përmirësohet teknologjia për të parandaluar përhapjen e dezinformatave./abcnews.al