Vlorë/ Trafikonin qytetarë nga vende të huaja, goditet grupi kriminal, i përdorte për shpërndarje të lëndëve narkotike

schedule10:07 - 13 Dhjetor, 2024

schedule 10:07 - 13 Dhjetor, 2024

Drejtoria e Policisë së Vlorës ka zhvilluar një konferencë për shtyp duke dhënë detaje lidhur me operacionin policor kundër trafikimit të të rriturve nga vendet e huaja.

Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, gjatë fjalës së tij deklaroi se katër persona janë arrestuar dhe se një tjetër është shpallur në kërkim. Ai shpjegoi se rekrutimi kryhej jashtë Shqipërisë.

“Është rrjet ndërkombëtar i trafikut të njerëzve. Personat organizatorë janë shtetas të huaj, rekrutimin e kryenin jashtë Shqipërisë, në vende të ndryshme të Evropës. Çështja është duke u hetuar për të parë nëse kemi shqiptarë të përfshirë, apo dhe qytetarë nga Vlora, deri në këto momente nuk na rezulton të kemi të tillë”, tha ai.

Deklarata e plotë:

Së pari bashkë me Prokurorin e çështjes, Erion Murataj, do bëjmë prezent rezultatin e arritur pas finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “TRANSNACIONAL” Ky operacion përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në angazhimin tonë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe për të goditur rrjetet kriminale që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Operacioni u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Vlorë, të mbështetura nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe strukturat e tjera të Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, si rezultat i një pune hetimore dhe policore të mirëorganizuar.

Gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës. Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.

Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja”, 4 shtetas të huaj konkretisht:

Shtetasi , 27 vjeç, lindur dhe banues në Harkov, Ukrainë;

Shtetasi; 23 vjeç, lindur dhe banues në Kiev, Ukrainë;

Shtetasi; 24 vjeç, lindur dhe banues në Minsk, Bjellorusi;

Shtetasja: 22 vjeçe, lindur dhe banuese në Kiev, Ukrainë.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi 35 vjeç, banues në Poloni.

Gjithashtu, janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Ndërkohë, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura më parë. Operacioni policor i koduar “DANGER”, i cili u finalizua ditën e djeshme, pas një pune voluminoze të pandërprerë të strukturave hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Policisë Vlorë nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ishte një tjetër rezultat që rrit besimin e qytetarëve te Policia dhe krijon një ambient të pasigurt për ata që tentojnë apo kanë kryer krime ndaj personit, pronës apo në çdo fushë tjetër.

Dua tju bëj me dije, gjatë dy javëve të fundit, dhjetëra prindër dhe pjestarë të stafeve pedagogjike të qarkut Vlorë kanë kontaktuar Policinë, duke ndarë shqetësime dhe informacione mbi aktivitetet dhe sigurinë e fëmijëve të tyre, kryesisht të moshave 12 deri në 18 vjeç. Këto informacione kanë qenë të vlefshme dhe kanë ndihmuar në orientimin e veprimeve tona parandaluese. Një shembull konkret është rasti i një 14-vjeçari, ku, falë informacionit të siguruar dhe punës profesionale nga Policia e Vlorës, ditën e djeshme është bërë e mundur që, nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune profesionale me psikolog, prind dhe punonjës social, të gjendej e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë, të cilat I kishte fshehur ky 14-vjeçar. Nga ana jonë vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje.

Përfitoj nga rasti që t’i falënderoj të gjithë prindërit dhe stafet pedagogjike që kanë ndarë shqetësimet dhe informacionet e tyre me Policinë. Kontributi i tyre është një shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit për rritjen e sigurisë së fëmijëve në rrugë dhe shkollë. Ftoj të gjithë qytetarët që të vazhdojnë këtë bashkëpunim, duke denoncuar rastet e paligjshmërisë, me garancinë e anonimatit të plotë dhe një reagim të menjëhershëm e profesional nga strukturat e Policisë së Qarkut Vlorë.

Këto veprime parandaluese dhe operacionale të njëpasnjëshme janë dëshmi e përkushtimit e strukturave të Policisë Vlorë, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe mbështetjen maksimale nga Prokuroria e Vlorës, për të goditur aktivitetet kriminale me qëllim rritjen akoma më shumë të parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Së fundmi, një falënderim i veçantë shkon për Ambasadën e Ukrainës në Shqipëri për mbështetjen e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet tona në operacionin “TRANSNACIONAL”, si dhe për të gjitha strukturat tona që kontribuuan në suksesin e këtyre operacioneve.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!