Kostoja e strehimit, problem kyç për spanjollët

schedule13:42 - 11 Dhjetor, 2024

schedule 13:42 - 11 Dhjetor, 2024

Derisa çmimet e banesave vazhdojnë të rriten në të gjithë Spanjën, sipas një sondazhi nga ‘Eurobarometer’ të prezantuar në Madrid, qasja për një strehë është shfaqur shqetësimi kryesor i spanjollëve.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Statistikave (INE), gjatë tremujorit të tretë të vitit çmimet e blerjes së shtëpive në Spanjë u rritën me 8,1 për qind në baza vjetore. Ndërkohë, qiratë janë rritur pa pushuar në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas portalit të pasurive të paluajtshme ‘Idealista’, në qytete si Madridi dhe Barcelona ​​çmimet mesatare të qirave janë rritur me rreth 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar, sipas portalit të pasurive të paluajtshme Idealista.

Në muajt e fundit, protesta masive kanë përfshirë Spanjën, me demonstruesit që bëjnë thirrje për zgjidhje për krizën e përballueshmërisë së banesave.

Sondazhi nga ‘Eurobarometer’ zbuloi se 35 për qind e spanjollëve përmendën strehimin si shqetësimin e tyre kryesor gjatë tremujorit të vjeshtës, një rritje e mprehtë prej 18 pikësh krahasuar me sondazhin e mëparshëm në pranverë.

Çështje të tjera ekonomike, si inflacioni dhe kostoja e jetesës, mbeten në vendin e dytë, të përmendura nga 30 për qind e të anketuarve. Megjithatë, derisa inflacioni vijon të qetësohet, ky shqetësim ra me tetë pikë përqindje krahasuar me vrojtimin e pranverës.

Emigracioni u shfaq si shqetësimi i tretë më i madh, i përmendur nga 21 për qind e të anketuarve, respektivisht një rritje me tetë pikë nga sondazhi i mëparshëm.

Sondazhi, i kryer në emër të Komisionit Evropian, zbuloi se Spanja mbetet ndër pesë vendet e para të Bashkimit Evropian (BE) me ndjenjat më pro-evropiane.

Sondazhi zbuloi se 70 për qind e spanjollëve ndjehen të lidhur me BE-në dhe 76 për qind mbështesin rritjen e bashkëpunimit të mbrojtjes në nivel evropian.

“Ndikimi pozitiv i projekteve të financuara nga fondet ‘NextGenerationEU’ ndihet në çdo cep të vendit. Kjo është diçka që qytetarët e vënë re dhe transmetohet në një ndjenjë në rritje të përkatësisë në BE”, tha gjatë prezantimit Lucas Gonzalez Ojeda, përfaqësuesi më i lartë i Komisionit Evropian në Spanjë.

Në një nivel në mbarë BE-në, sondazhi zbuloi se imigracioni është shqetësimi më urgjent, i ndjekur nga lufta në Ukrainë.

Derisa spanjollët shprehin mbështetje të fortë për BE-në, kënaqësia me institucionet e tyre kombëtare qeverisëse mbetet relativisht e ulët. Spanja renditet e teta më e ulëta në bllokun evropian, me vetëm 54 për qind të të anketuarve që shprehën kënaqësinë me gjendjen e demokracisë në vend.

Megjithatë, pavarësisht shqetësimeve rreth strehimit dhe qeverisjes, 88 për qind e spanjollëve thanë se janë të kënaqur me jetën e tyre të përditshme, përkatësisht dy pikë mbi mesataren e BE-së.