Procesi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmit Mediu i marrë i pandehur për shpërdorim detyre në lidhje me dosjen Gërdeci nuk është zhvilluar këtë të mërkurë. Shkak u bë mungesa e dy avokatëve mbrojtës Ardian Visha dhe Henrik Ligori. Gjykata i gjobiti të dy ata me 5 mijë lekë të reja, për shkak se mbrojtësit ligjorë të Mediut edhe pse kërkuan ekspertët ushtarakë në seancën e kësaj të mërkure nuk ishin paraqitur.
Në nisje të seancës njëri nga ekspertët, Fatmir Bozdo, në moshën 72 vjeçare me probleme shëndetësore i kërkoi gjykatës të mos paraqitej me në seancat e ardhshme për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër ai deklaroi përballë gjykatës , se i qëndron të njëjtit akt-ekspertimi të bërë pas shpërthimit në Gërdec për shkaqet që sollën shpërthimin. Seanca e radhës u caktua në datë 18 dhjetor ora 09.00. Nga ana tjetër edhe ish-ministri i Mbrojtjes nuk ishte i pranishëm në seancën e së mërkurës. Ai është marrë i pandehur për shpërdorim detyre me dyshimin se ka kryer shkelje në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në Gërdec.
/abcnews.al/