Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të shqyrtojë sot në një seancë atë që nxiti debat tash e sa kohë – Ligjin për gjuhët, i miratuar më 2018.
Reagime politike janë shkaktuar në Shkup pas vendimit për të shqyrtuar këtë ligj.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë ka paralajmëruar se në këtë mënyrë mund të cenohen të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe Marrëveshja e Ohrit.
BDI e ka quajtur ligjin simbol i Marrëveshjes së Ohrit duke thënë se në të bazohet barazia gjuhësore. Sipas partisë së drejtuar nga Ali Ahmeti, shfuqizimi i këtij ligji do të nënkuptonte “rrënim të njërës prej shtyllave kyçe të Marrëveshjes së Ohrit”.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 2001 me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe pas negociatave disa ditore intensive në Shkup.
Dokumenti që njihet si kontratë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoninë e atëhershme.
Ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski tha për mediat se po diskutojnë me partnerët e koalicionit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve por sipas tij askush nuk duhet të ndërhyrë në gjykatë.
Ndërkohë që prej pasdites të së dielës, para Gjykatës Kushtetuese po qëndrojnë aktivistë të BDI-së të cilët kanë thënë se do të jenë aty deri në mbajtjen e seancës.
Me një nismë të emëruar “Roja e gjuhës” ata kanë thënë se do të qëndrojnë në mbrojtje të këtij ligji.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.
Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.
Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj.
Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.
Një muaj më parë kreu i BDI-së Ali Ahmeti u ka dërguar letër liderëve të rajonit dhe faktorit ndërkombëtar, duke shprehur “shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend”. Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese tash e pesë vjet, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë./kosovapress/