Bayern Munich duhet t’i bëjë llogaritë pa Harry Kane, me shumë mundësi deri në fund të këtij viti.
Sulmuesi anglez la fushën e lojës në minutën e 33’-të të sfidës kundër Borussia Dortmund, ndërsa rezultatet e testeve mjekësore nuk janë aspak të mira.
Sipas tyre, Kane ka një tërheqje në kofshën e këmbës së djathtë, ndërsa ky dëmtim kërkon thuajse tre javë për t’u rikuperuar. Gjithsesi, duke qëndruar në njoftimin zyrtar të klubit “bavarez”, ecuria e lojtarit do të shihet ditë pas dite.
Kështu, duke nisur nga sfida e mbrëmjes së kësaj të mërkure në Kupën e Gjermanisë kundër Bayer Leverkusen, Bayern nuk do të ketë shërbimet e “bomberit” të tij.
Trajneri Vincent Kompany shpreson ta ketë sa më shpejt në dispozicion, pasi mungesa e anglezit kushtëzon të gjithë skuadrën.
Kjo u konfirmua edhe në “Klasiken” kundër Borusia Dortmund, ku “Bavarezët” krijuan shumë, por finalizimi la për të dëshiruar, ndërsa vetëm në fund arritën të barazojnë 1-1, teksa kujtojmë se një ndikim të madh pati edhe largimi i parakohshëm i Kane, i cili është shënuesi më i mirë në Bundesligë me 14 gola në këtë sezon, ndërsa bashkë me ata të shënur në Champions League dhe Kupë, numëron 20 rrjeta gjithsej. /i.m /abcnews.al