Nëse ne e dallojmë kë kemi përballë përmes pamjes Doliana e kupton nga zëri. Kolegëve të zyrës ku punon prej një viti ditën e parë që i takoi iu vuri një kusht.
“Në momentin që më drejtoheni më thoni dhe emrin dhe pastaj bëja lidhjen emrit me zërin. Kështu ndodh gjithmonë”, theksoi ajo.
32-vjeçarja nuk e ka parë kurrë dritën e diellit. Doliana ka lindur e verbër dhe ka krijuar botën e saj.
“Botën e shoh në mënyrën time dhe me ngjyra, emocionale jo ngjyra në kuptimin e fjalës. Unë kam lindur e verbër kjo ma ka lehtësuar se e kam krijuar realitetin tim mbi bazën e limiteve që kam krijuar që në fillim te jetës time”, u shpreh ajo.
Mungesa e pamjes i shtoi sfidat, por nuk e kufizoi për të ndjekur ëndrrat. Ka përfunduar studimet e larta për psikologji këshillimi dhe prej një viti punon në drejtorinë për personat me aftësi të kufizuar në Bashkinë e Tiranës.
“Në universitet më duhej të mësoja dhe pedagogët si të procedonim bashkë. Leksionet i shkruaja në Brail, lodhesha shumë më tepër se shokët, provimet i jepja me gojë. Ka qenë rrugë e gjatë sa më punësuan. Pyesnin ça do bëjë, ku do punojë, a do ti përgjigjet punës…
Fokusi im është tek njerëzit, tek komunikimi me ta, tek shërbimet që i ofrohen personave me aftësi të kufizuar, komunikimi, ofrimi i mbështetjes, njohja me ligjin, ku te orientohen për te marre shërbimet që kanë nevojë”, tregon Doliana.
Nuk mohon ndihmën që I vjen nga teknologjia dhe kolegët. Çdo çast përpiqet që e ëma të mos e ndjejë peshën e aftësisë së saj të kufizuar. Megjithëse tregon se e ka mbështetjen më të madhe dhe zgjidhjen e çdo problemi. Edhe atëherë kur dëshironte të shkruante e pikturonte si të gjithë moshatarët e saj.
“Mami priste në forma diellin, hënën, yjet, të gjithë detajet, dhe unë me anë të të prekurit arrija ta përfytyroja çdo shkronjë. Kjo ishte mënyra si unë mësova shkrimin me alfabetin tuaj. Në punë mundem të kem pavarësi të pjesshme, që kur nisem nga shtëpia, ka sfida. Kur kam ardhur muajt e parë në punë shoqërohesha nga nëna, më pas më shoqëronin kolegët. Shkoj në shtëpi duke memorizuar stacionet”, tregon ajo.
Pas çdo problemi sheh një zgjidhje. Në jetë ka moton e saj.
“Ti thyej këto paragjykime”
dhe në ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuar ndanë këtë mesazh …
“Të pranojnë veten, atëherë do të ecin e të kërkojnë dritën, jo të ngecen në errësirë”, shprehet ajo.