“U lirua nga një masë sigurie, por nuk u çlirua nga akuza”, kështu u shpreh Petro Koçi në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, ndërsa komentoi lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kthimin e tij në Kuvend.
Gjithashtu gjatë intervistës, Petro Koçi nënvizoi se ish-kryeministri Sali Berisha është “nën makthin” e akuzave të SPAK, dhe se sipas tij ka shumë veprime që e kompromentojnë atë.
“Në parim nuk diskutojmë asnjë vendim të gjykatave. Individualisht nuk ka pasur ndonjë interes të madh për këtë situatë. Ai u lirua nga një masë sigurie, por nuk u çlirua nga akuza. Ai kudo ku shkon gjithmonë është nën makthin e akuzave serioze. Statusi i të pandehurit nuk ndryshon si në katin e parë si në katin e fundit. Gjykoj që çështja e klubit Partizani është “minore”, kur bëhet fjalë për çështje si 21 janari. Kemi dëgjuar dhe gjithashtu ka plot këndvështrime të tjera që nënkuptojnë se duhet një gjykim më i guximshëm. Kemi fshirje serveri, kemi deklarata të çuditshme të Berishës, u pengua prokuroria. Pra janë disa veprime që atë e kompromentojnë. Pra konstatojnë lehtësi që gjykimi dhe hetimi nuk ka shkuar atje ku duhet. Në gjendjen në të cilën ndodhet, mundohet ta mbajë vëmendjen e opinionit publik tek rëndësia e kritikave. Po të shohësh sondazhet, publiku i beson drejtësisë së re, pra mendoj se e gjithë kjo ka lidhje me retorikën e tij të vazhdueshme ndaj këtyre organeve të reja, pra nuk ka asgjë të re në këtë mes. Edhe rastin Salianji u munduan ta shfrytëzonin.
Sa i përket zgjedhjeve, nënvizoi se Partia Socialistë është e vendosur për të bërë një fushatë serioze, duke shtuar se janë të bindur se do të dalin fitues.
“PD dhe Berisha janë një simbol i kthimit mbrapa dhe jo një simbol për të ecur përpara. Është e dukshme që opozita , PD duan të përmbysin reformën në drejtësi, të zhdukin SPAK dhe të rikthejnë sindikatën e dikurshme në pushtet. PS e mbështet fort drejtësinë e re dhe në fushatë kjo do të jetë një kartë e fortë, për të votuar PS”, shtoi ai.
/abcnews.al/