“Kemi sekuestruar 150 milionë euro asete”, Altin Dumani bën bilancin: SPAK është në vijën e parë të luftës kundër korrupsionit

schedule17:05 - 2 Dhjetor, 2024

schedule 17:05 - 2 Dhjetor, 2024

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani nga Kuvendi, ku mori pjesë në takimin e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës bëri një bilanc pune të organit që ai drejtonte, në luftën kundër krimit në Shqipëri.

Ai theksoi se që nga krijimi, SPAK ka mundur të sekuestrojë 150 milionë euro asete, të siguruara nga veprimtari kriminale.

“Shpreh vlerësimin që Këshilli i Europës kanë dhënë për reformën e drejtësisë. Këto sfida janë themelore për shtetin e së drejtës dhe ruajtjen e besimit të qytetarëve te drejtësia. SPAK është në vijën e parë të kësaj lufte, duke ndjekur një qasje të bazuar në transparencë bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate konkrete. Pavarësia institucioneve, kapacitet njerëzore dhe teknike kanë dhënë rezultate premtuese që janë përkthyer në çështje konkrete. Krahas ushtrimit të ndjekjes penale për zyrtarë të lartë, SPAK ka në fokus edhe luftën kundër krimit të organizuar, ku falë bashkëpunimit me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, kemi bërë të mundur të godasim grupe të ndryshme kriminale, organizata të ndryshme kriminale të përfshirë në krime të dhunshme apo trafik droge. Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 milionë euro”, u shpreh kreu i SPAK.

Ai pohoi se SPAK nuk e lufton dot vetëm korrupsionin, por një fenomen i tillë shtoi Dumani kërkon bashkëpunimin e institucioneve të tjera.

“SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin. Ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera përgjegjëse në luftën kundër korrupsionit, shprehim gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar. Beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm detyrë ligjore, por përpjekje e përbashkët morale dhe shoqërore. Efektiviteti ynë dhe bashkëpunimi janë thelbësore për këtë luftë”, tha Dumani./abcnews.al