Policia e Kosovës tha se ka arrestuar edhe një person i cili dyshohet të jetë i lidhur me sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 26 nëntor.
Personi i dyshuar u arrestua në orët e mbrëmjes të 1 dhjetorit, “nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, u tha në njoftim.
Autoritetet gjyqësore ndaj të dyshuarit kanë caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./abcnews.al