Jo vetëm Kallaku, Lokomotiva “gjuan” kudo në Superiore

schedule12:32 - 27 Nëntor, 2019

schedule 12:32 - 27 Nëntor, 2019

Lokomotiva e Zagrebit ka një numër të madh futbollistësh shqiptarë, pesë prej tyre në ekipin e parë. Myrto Uzuni, Lirim Kastrati, Jon Mersinaj, Enis Çokaj dhe Indrit Tuci janë pjesë e klubit kroat. Me të rinjtë është edhe Albion Marku, kurse i huazuar është Arbër Mehmetllari.

Duke pasur Besnik Prengën pjesë të klubit, kroatët mendojnë të afrojnë edhe të tjerë futbollistë nga kampionati ynë. Edhe pse para disa kohësh në emisioni “Pressing” në ABC News u tha se Sherif Kallaku do të transferohet në Rusi te Akhmat Grozny, Lokomotiva nuk stepet.

Prenga, së bashku me drejtorin sportiv të klubit kroat, ishte në Shkodër dhe e panë nga afër fantazistin e Teutës. Nuk flitet për ndonjë ofertë për momentin, por Kallaku është në orbitën e tyre. Gjithsesi ai nuk është objektivi i vetëm.

Të hënën skautët e Lokomotivës ishin edhe në ndeshjen Partizani-Laçi dhe panë disa nga të rinjtë e të dyja skuadrave. Prenga i shoqëronte si zakonisht, ndërkohë që nuk është se zbulojnë se cilët lojtarë po shikonin. /abcnews.al