Lojtari më i mirë i vitit/ Përsëritet gara e “Topit të Artë”, Vinicius sfidon Rodri. Kthehet Lionel Messi

schedule14:18 - 29 Nëntor, 2024

schedule 14:18 - 29 Nëntor, 2024

Ende pa u shuar polemikat për “Topin e Artë”, FIFA paralajmëron një tjetër garë të fortë për trofeun tjetër individual të futbollit siç është ai i “Lojtarit më të mirë të vitit”.

Qeveria botërore e futbollit ka zyrtarizuar finalistët për “FIFA the Best”, ndërsa në listë janë të gjithë ata që diskutuan “Topin e Artë”: Rodri, Vinicius Junior, Dani Karvajal apo Bellingham.

Po ashtu, në listën e gjatë të pretendentëve janë Haland, Toni Kros, Mbape, Jamal, Virtz dhe Lionel Messi.

“Pleshti” kthehet në një garë personale, pasi u la jashtë nominimeve për “Topin e Artë” për herë të parë në 15 vitet e fundit.

Krejt I ndryshëm është diskutimi për Kristiano Ronaldo, që nuk llogaritet në këtë garë.

Për momentin nuk ka një favorit në parashikime, ndërsa modalitetet e votimit janë ndryshe nga ato të “Topit të Artë”.

Për “FIFA the Best” votojnë gjithë trajnerët dhe kapitenët e kombëtareve.

Po ashtu, qeveria botërore e futbollit ka përcaktuar edhe finalistët në garat për trofetë e tjerë, për portierin, mbrojtësin, mesfushorin dhe sulmuesin më të mirë të vitit.

Një sfidë tjetër e fortë është ajo për “Trajnerin e Vitit”, trofe që do të diskutohet nga Ançeloti, Guardiola, Alonso, Skaloni dhe De La Fuente.

Në ceremoninë e organizuar nga FIFA do të zgjidhet gjithashtu “Lojtarja më e mirë e Vitit” dhe “Goli më i Bukur”.