Finalizohet operacioni policor i koduar “Godina”. Një person është arrestuar dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht, lidhur me këtë aksion.
Në një njoftim zyrtar policia ka sqaruar se janë gjetur brenda ambientit, dikur shkollë, 578 fidanë të dyshuar si cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike që shërbenin për realizmin e kësaj veprimtarie kriminale. Ndërsa në pranga është vënë elektricisti i zonës dhe janë proceduar penalisht tre pjesëtarë të grupit të punës së OSHEE-së që mbulojnë zonën.
Sakaq vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve
“Në zbatim të porosive të dërguara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për intensifikimin e kontrolleve në ambiente të mbyllura për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë intensifikuar kontrollet në ambiente të mbyllura.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Dush, në një godinë të braktisur prej vitesh (pronë publike) mund të ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit policor të koduar “Godina”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll.
Gjatë kontrollit në godinën e braktisur, një nga ambientet e kësaj godine ishte përshtatur për kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, ku në brendësi të këtij ambienti janë gjetur 578 fidanë të dyshuara cannabis sativa në kubikë dhe në vazo si dhe 103 llamba elektrike e pajisje të tjera elektrike që shërbenin për realizmin kësaj veprimtarie kriminale. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 62 vjeç, banues në Laç, elektricisti i zonës, dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit J. D., 41 vjeç, banues në Fushë- Arrëz, I. M., 32 vjeç, banues në Shkodër dhe A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Hajmel, (grup i punës i OSHEE-së që mbulon zonën) për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Nën drejtimin Prokurorisë , strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe ato të DVP Shkodër vijojnë punën intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
/abcnews.al/