Klevis Tafaj dhe Bianka janë dy balerinët shqiptarë që performuan vallet tradicionale në një organizim madhështor në New York me rastin e festave të Nëntorit.
Ata ngritën në këmbë të gjithë qytetarët me performancën e tyre, e cila u pëlqye shumë.
Të ftuar në “Virtual Wars”, ata treguan në një lidhje me Skype emocionet e kësaj dite, ku ngritën flamurin shqiptar.
“Është shumë krenari sepse performuam në një nga rrugët më të njohura të gjithë botës dhe përfaqësuam vendin tonë. Ne tashmë këtu ndihem si në shtëpi, pasi komuniteti shqiptar këtu nuk është i vogël. Ne jemi pjesë e një shoqate që organizojmë çdo vit Festën e Flamurit.
Në SHBA e ndjejnë shumë festën. Ne i mësojmë fëmijët të kërcejnë vallet dhe i falenderojmë shumë që dëshirojnë këto tradita, si ata dhe prindërit”, tha Klevisi.
“Kjo ishte vallja e Tropojës, me që Klevisi është nga Tropoja dhe iu përshtatëm, pasi unë jam nga Tirana. Menduam të vishnim dhe veshjet karakteristike të zonës dhe doli shumë bukur.
Unë kam mbaruar shkollën e Baletit në Tiranë dhe i shkrova Klevisit një ditë për t’iu bashkuar kompanisë, bëra audicionet dhe u pranova. Kam një vit që jetoj në SHBA dhe këtu ndjehet shumë që shqiptarët ndihmojnë njëri-tjetrin”, u shpreh Bianka./abcnews.al