Qendra multifunksionale për zhvillim rajonal/ Rama në Vlorë, inspekton punimet në kantier. Shoqërohet nga Dredha

schedule14:06 - 28 Nëntor, 2024

schedule 14:06 - 28 Nëntor, 2024

Një projekt i ri dedikuar teknologjisë dhe inovacionit në shërbim të të rinjve shqiptarë dhe jo vetëm, po zhvillohet në qytetin e Vlorës.

Qendra Multifunksionale për Zhvillim Rajonal është hapësira publike e teknologjisë dhe inovacionit që po merr dimensione, si një një habitat për start up-e, aktivitete kulturore e ekonomike, që do të mirëpresë të rinj nga Shqipëria, rajoni e bota dhe që do të gjenerojë të ardhura përmes projekteve, duke i dhënë një shtysë të re edhe zhvillimit të turizmit në Vlorë.

Kryeministri Edi Rama, ishte sot në kantierin e punimeve, të ndërtesës 16 katëshe që është menduar të ndërtohet sipas një arkitekture të veçantë,  që kombinon më së miri me ngjyrat kuq e zi të Sheshit të Flamurit dhe shërben si një lidhje midis këtij sheshi dhe zonës historike.

“Jemi ne kantierin e qendrës së zhvillimit rajonal të Vlorës që ish godina e vjetër simboli i urbanizimit jo të duhur, i transformuar me projektin e studios XDGA, në një hapësirë publike që do të jetë njëkohësisht edhe një qendër e teknologjisë dhe inovacionit në rajonin e Vlorës, por nga ana tjetër do të jetë një godinë publike, jo vetëm nga pikëpamja e funksionit dhe nga pikëpamja e aksessibilitetit. Aktualisht kemi hyrë në fazën përfundimtare të punimeve, për mbylljen dhe ndarjen e hapësirave të brendshme. Ideja është që këtu të ketë një qendër zhvillimi me fokus teknologjinë dhe inovacionin  për të grumbulluar në habitat për start up-et, për të rinjtë, inxhinieret, ndërkohë që do ketë edhe një aktivitet ekonomik për të krijuar edhe një lloj qëndrueshmërie financiare.” – shpjegoi Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se “Ambicia është që të bëjmë një Qendër teknologjike ku të kemi mundësinë të mikpresim një pjesë sado të vogël nga ajka e inovacionit në ShBA, në Europë me kushtet e jashtëzakonshme që ka Vlora, që ka Shqipëria, por edhe me të gjithë legjislacionin përkatës të parqeve teknologjike duke e bërë këtë pjesë të instrumentit financiar të parqeve teknologjike, që do krijojë në pak kohë mundësinë që të jetë një vatër inovacioni edhe një vatër rinore për të rinj nga Shqipëria dhe nga të gjitha llojet e gjuhëve dhe të kontinenteve.” – teksa theksoi se “realizimi i këtij projekti, do t’i japë një shtysë të re dhe turizmit në Vlorë edhe do ta vendosë Shqipërinë në një tjetër pikë të hartës.”