SHBA: Ukraina duhet të rrisë mobilizimin ushtarak për të luftuar Rusinë

schedule07:54 - 28 Nëntor, 2024

schedule 07:54 - 28 Nëntor, 2024

Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Ukrainës të mobilizojë më shumë ushtarë për të përforcuar njësitë e saj në luftën gati trevjeçare kundër forcave ruse, duke thënë se Kievi duhet ta ulë moshën e shërbimit ushtarak nga 25 në 18 vjeç.

“Nevoja për momentin është për rekrutë”, u tha gazetarëve të mërkurën një zyrtar amerikan. “Rusët në fakt po bëjnë përparim, progres të qëndrueshëm, në lindje dhe kanë filluar ta zmbrapsin vijën e forcave ukrainase në Kursk”, rajoni rus që Ukraina mori në gusht me një sulm që befasoi Moskën.

“Mobilizimi i më shumë rekrutëve mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm në këtë kohë, nëse i hedhim një vështrim fushëbetejës sot”, tha zyrtari.

Më shumë se 1 milion ukrainas janë tashmë të mobilizuar në ushtri, përfshirë në Gardën Kombëtare dhe njësi të tjera. Zyrtari amerikan tha se ukrainasit besojnë se u duhen rreth 160,000 forca shtesë, por administrata amerikane tha se ndoshta do të kenë nevojë për më shumë se kaq.

Zyrtari amerikan tha se “matematika e qartë” e situatës së Ukrainës tashmë është se ajo ka nevojë për më shumë forca në luftë, një pozicion që mbështetet në kryeqytetet e tjera perëndimore që kanë furnizuar me armatime Ukrainën.