Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka hedhur akuza të forta ndaj bashkëshortes së kryeministrit Albin Kurti se punon për kompaninë “Elektroprivreda” të Serbisë.
Gazetari Visar Duriqi, në një lidhje live për emisionin “Balkan Update”, tha se një informacion i tillë, i cili ka dalë më herët, nuk është vërtetuar asnjëherë.
“Kjo e fundit, që lidhet me zonjën e Kurtit, është diçka që më shumë hyn te fushata sesa mund të konfirmohet diçka e tillë. Si informacion i parë, ka dalë në prill 2023. Ka qenë një profil që e ka publikuar informacionin për gruan e kryeministrit Kurti është duke punuar për kompaninë shtetërore të energjisë së Serbisë dhe prej atëherë kemi tentuar që ta konfirmojmë por nuk ka prova. Ka ekspertë që kanë konsulentë të kompanisë së energjisë por nuk ka provë direkte. Edhe gazetari serb që e lancoi këtë informacion, ditën tjetër kërkoi falje.”, u shpreh Duriqi.
Më tej, ai shtoi se pritet që të publikohet edhe një tjetër rast abuziv që lidhet me energjinë. Sipas tij, fakti që qeveria Kurti është përfshirë në transaksione milionëshe për energjinë, tregon se energjia për Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë burim i financimit të fushatës.
“Ne planifikojmë që në ditët në vazhdim të publikojmë dhe një rast tjetër që lidhet me energjinë që ende nuk është në hetim, sa i përket shkëmbimit të energjisë me shtetin shqiptar dhe marreveshjen që Kosova ka dhe kemi një vendim gjykate që i ka dhënë një kompanie tjetër nga Shqipëria dhe që vërteton që edhe shkëmbimi i energjisë ka qenë një aferë më vete. Pra kemi të bëjmë me çështje që është vjedhje milionëshe. Tërheqja e parave që në kohën e fushatës që ka bërë Anton Berishaj si ambasador janë tejet të dyshimta, kemi tërheqje brenda ditës në raste deri në 80 mijë euro. Tërheqje me arsyetimin për biznes por nuk dihen se ku kanë shkruar. Dyshimet që është financuar fushata e VV që Berishaj ka marrë prej GEN të Serbisë. Prokuroria e ka ngritur një akt akuzë për ish drejtorin e KEK. Edhe një akt akuzë është në ardhje e sipër. Nëse njeriu kryesor i emëruar nga Kurti në kompaninë më të fuqishme në Kosovë, pritet të ketë dy akt akuza dhe ambasadori që mbron aq shumë Kurti është përfshirë në transaksione milionëshe për energjinë, tregon se energjia për VV ka qenë burim i financimit të fushatës. Prandaj e mbrojnë me kaq zell”, shtoi ai./abcnews.al