TIRANË– Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Baza e saj ishte në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine.
Koka e organizatës kriminale sipas SPAK është Suel Çela, i cili kishte për qëllim eliminimin e të gjithë konkurrentëve dhe rivalëve në qytetin e Elbasanit, me qëllim kontrollin e plotë të trafikut të drogës.
Nga hetimet, SPAK ka dokumentuar se kjo organizatë kanë tentuar të trafikojë sasi të mëdha kokainë nga Amerikan Latine drejt Evropës.
Sipas SPAK, ka patur tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020. Po ashtu, është tentuar trafikimin e 466 kilogramë të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021./abcnews.al