Ditët kombëtare, pedagogia Asllani në “Pas Mesnate”: Shqipja është shtëpia jonë. Dita e Alfabetit, një nga më të bukurat që kemi në kalendar

schedule10:32 - 26 Nëntor, 2024

schedule 10:32 - 26 Nëntor, 2024

Në një intervistë në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, pedagogia Persida Asllani foli për disa nga ditët më të rëndësishme kombëtare, sidomos kushtuar gjuhës.

Gjatë kësaj interviste, pedagogia Asllani, vlerësoi se shqipja mbetet shtëpia jonë dhe duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm për këtë strukturë të fortë të brendshme që jep gjuha amtare, për ta bërë të qëndrueshme, por edhe për të ditur se si ta ruajmë.

“Shqipja është shtëpia jonë dhe sa më të vetëdijshme të jemi për këtë do të jemi edhe më të qartë. Edhe për të ditur si ta ruajmë dhe për t’u përshtatur të gjithë së bashku. Ne nuk mund të kemi luksin ta mbajmë teknologjinë jashtë jetës sonë. Pjesa e teknologjisë së komunikimit është bërë një realitet me të cilin duhet të mësohemi dhe të përshtatemi. Në një hark kohor prej gjysmë shekulli brezi ynë quhet brez migrator në teknologji. Brezi i ri sot është brezi i vërtetë i teknologjisë. Marrëdhëniet e tyre me teknologjinë është shumë herë më e përparuar dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm që me të gjitha veprimet apo mos veprimet”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës nënvizoi se është me shumë rëndësi që të ruhet identiteti gjuhësor.

“Duhet të bëhemi të vetëdijshëm ku janë problemet se çfarë do të na duhet të ruajmë nga identiteti ynë gjuhësor dhe të mendojmë me koncepte të reja bashkëkohore mbi gjuhën, mbi format e leximit, mbi cilësinë e mendimit, apo përvoja të reja që lindin. Jemi duke jetuar në një realitet të tillë”, tha ajo.

Gjithashtu sa i përket Ditës së Alfabetit tashmë një nga datat më të reja, e vlerësoi si një nga më të bukurat, duke u shprehur se Dita e Alfabetit lidhet ngushtë me trashëgiminë gjuhësore.

“22 nëntori është nga datat më të reja festive, dhe për mua është një nga më të bukurat e kalendarit që kemi, Dita e Alfabetit, lidhet me gjuhën, trashëgiminë gjuhësore dhe letrare shqipe. Historia e shkrimit të shqipes është histori e dhimbshme, por edhe një histori e jashtëzakonshme rezistence, betejash”, tha ndër të tjera Asllani.

/abcnews.al/