Sëmundja që e mundon prej 13 vitesh, Blerinës i mori fuqinë për të lëvizur, por, kurrsesi pasionin për gjuhën. 45-vjeçarja nga Vlora, sapo ishte kthyer nga studimet në Rusi, kur u diagnostikua me Sklerozë të shumëfishtë.
“Unë kam mbaruar filologji Ruse, në Moskë. Sapo kam mbaruar studimet u ktheva këtu, dhe atëherë ka qenë momenti që u diagnostikova me Sklerozë Multiple, në 2011”, tregon ajo.
Përballja me sëmundjen nuk ishte e lehtë për 45-vjeçaren, dhe përpjekjet për ta pranuar atë ishin të mëdha.
“E mora me sportivitet, fillimisht mendova çfarë mund të dinë aparaturat apo mjekët për shëndetin tim, por normale ishte thjeshtë një shaka nga ana ime që s’doja ta pranoja, faktin që diçka nuk shkonte dhe, pastaj kaluan të gjitha etapat edhe e pranova. Në jetë ndodh gjithçka, u pajtova me këtë. Dhe bëj këto përpjekjet e mija për të ec përpara”, shprehet ajo.
Sëmundja ja vështirësoi punësimin, por, nuk ja bëri të pamundur. Prej 4 vitesh, Blerina punon online, ku jep mësim për Gjuhën Shqipe.
“Pasi u ktheva, për shkak të shëndetit ishte e vështirë të gjeja punë dhe u detyrova të gjeja mënyra të ndryshme sesi ta ushtroja, dhe aktualisht unë punoj online, jap mësim shqip edhe rusisht”, tregon mësuesja.
Interesi për të mësuar shqip është i lartë tregon ajo, nga çdo cep i botës.
“Për të gjithë të interesuarit nëpër botë. Janë persona të grupmoshave të ndryshme, nevojat e tyre janë të ndryshme. Ka persona që janë lindur me shqiptarë dhe duan ta mësojnë që kur të vijnë këtu të flasin me ta. Ka persona që vijnë për turizëm, të mësojnë për të komunikuar. Ka familje që janë gjysmë shqiptarë që akoma nuk e dinë shqipen. Ka persona që vijnë për të punuar në Shqipëri”, shprehet Blerina.
Për Blerinën kjo nuk është një punë që i sjell thjeshtë të ardhura, ndaj ndihet krenare për atë që bën.
“Mund them se nuk është një punë si të gjithë të zakonshmet, unë e kam për të larguar stresin, për tu ndjerë më mirë që mos të kaloj në ato fazat e tjera të agravuara të diagnozës tonë”, shprehet ajo.
Cili është mesazhi që keni për personat e diagnostikuar me Skleroze Multiple: “Të luftosh ja vlen, dorëzim nuk ka. Kemi ardhur në këtë jetë, dhe kemi një mision, duhet ta çojmë deri në fund. Nuk duhet ta humbasim, ai që humbet është I dobët. Duhet durim”, thotë ajo.
/abcnews.al/