“Metamorfoza” e kombëtares/ Krahasimi nga eleminatorët e “Euro 2024”, te Liga e Kombeve

schedule13:48 - 22 Nëntor, 2024

schedule 13:48 - 22 Nëntor, 2024

Edicioni i fundit në Ligën e Kombeve ishte një dështim. Asnjë ekzagjerim, për një fund që ishte e kundërta e pretendimeve. Shqipëria synonte vendin e parë, që do t’i hapte një tjetër rrugë drejt Botërorit të ardhshëm. Ky ishte objektivi maksimal, ndërsa minimali, vendi i dytë që do ta vendoste në play-of për t’u ngjitur në nivelin A të turneut.

Por kombëtarja kuqezi e mbylli në vendin e fundit dhe si pasojë zbriti në Ligën C.

Nuk ka më kthim pas, ndërsa tani është koha për të bërë bilancet, ndërsa me gjak të ftohtë duhen analizuar shifrat e skuadrës së Sylvinho. Numrat nuk gënjejnë dhe në një krahasim të thjeshtë me ato që u regjistruan në “erën e parë” të Sylvinho në eliminatoret e Euro 2024, tregojnë se kombëtarja ka ndryshuar qasje dhe taktikë.

Sigurisht rivalët nuk janë të njëjtë, por në kualifikueset e Europianit të shkuar, Shqipëria ishte një skuadër, që pëlqente të mbante topin, bënte pa frikë lojën e saj dhe mbi të gjitha ishte më sulmuese.

Ajo e mbylli grupin në vendin e parë me 15 pikë, ndërsa shënoi 12 gola dhe pësoi vetëm 4 të tillë në tetë ndeshje.

Kishte një mesatare me 1.5 gola për ndeshje dhe afërsisht 2 pikë për ndeshje. Mbi të gjitha, kishte mesatarisht 9 raste për gol, gati 4 goditje në portë dhe në kufijtë e 50% sa i përket mbajtjes së topit për çdo sfidë.

Nëse shohim veytëm numrat, metamorfoza e Sylvinho dhe kombëtares së Shqipërisë nisi në finalet e “Euro 2024” dhe u finalizua në edicionin që sapo u mbyll të Ligës së Kombeve.

Kuqezinjtë ndryshuan qasje, lanë metra në fushë dhe topin kundërshtarëve, sidomos në pjesën e parë dhe reagonin vetëm në të dytën, kur përgjithësisht kundërshtarët ishin në epërsi.

Në gjashtë ndeshje të Ligës së Kombeve Shqipëria mori vetëm 7 pikë, pak fare më shumë se 1 pikë për ndeshje. Por mbi të gjitha shënoi pak 4 gola dhe pësoi shumë, 6 të tillë. Edhe parametrat e tjerë të lojës, si kontrolli i topit, rastet për shënim dhe goditjet në portë.

Kjo është vetëm njëra anë e analizës e mbështetur në statistika, ndërsa I takon Sylvinjo dhe stafit të tij t’i zbrëthejë teknikisht dhe taktikisht për të gjetur zgjidhje në fushatën e ardhshme eliminatore të “Botërorit 2026”.