Vrasja me thikë e 14 vjeçarit në Tiranë, kreu i FSHF-së: Jam i tronditur! Ëndrra për futbollin iu pre padrejtësisht në mes

schedule08:34 - 19 Nëntor, 2024

schedule 08:34 - 19 Nëntor, 2024

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka reaguar për vrasjen me thikë të 14 vjeçarit Martin Cani pas një sherri me bashkëmoshatarë të tij në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Në një reagim në rrjete sociale, Duka shkruan se është i tronditur nga ngjarja që i ndërpreu në mes Martinit ëndrrën për futbollin.

Postimi i Armando Dukës:

Miqtë e mi!

Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!

Aq më teper sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtesisht në mes.

Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!

Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona!

Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!

Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!

Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.

Pusho i qetë Martin!

Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!

/abcnews.al