Të gjithë “njerëzit” e Sylvinho/ Trajneri kuqezi nuk ndryshon, i njëjti formacion si me Gjeorgjinë

schedule12:39 - 16 Nëntor, 2024

schedule 12:39 - 16 Nëntor, 2024

Në futboll asgjë nuk është e sigurtë. Mjafton një lëndim në nxehjen përpara ndeshjes dhe mbetesh jashtë.

Me urimin që kjo të mos ndodhë, Silvinjo e ka kristalizuar skuadrën që do të zbresë në fushën e lojës që nga minuta e parë në ndeshjen kundër Çekisë.

Skema dhe formacioni nuk ndryshojnë nga ai i sfidës së fundit të tetorit, të fituar 1-0 në transfertën kundër Gjeorgjisë.

Strakosha e ka të sigurtë vendin e tij në portë.

Mungesa e kapitenit Gjimshiti dhe Kumbullës, të dy të dëmtuar e bëjnë të detyruar zgjedhjen në qendër të mbrojtjes.

Ismajli dhe Ajeti do të vendosen përpara portës, ndërsa në krahë të repartit difensiv pritet të luajnë Mitaj e Balliu, me këtë të fundit që ka fituar balotazhin me Hysaj.

Në mesin e fushës me detyra të ndryshme do të luajnë si gjithmonë në ndeshjet e fundit Ramadani, Asllani dhe Laçi. Regjia do të jetë në këmbët e mesfushorit të Inter, ndërsa ai i Sparta Pragë duhet të ndihmojë mbrojtjen dhe të sulmojë zonat boshe në aksionet sulmuese.

Në repartin ofensiv, Bajrami në krahun e majtë dhe Asani në të djathtin duhet të ndihmojnë majën e sulmit.

Ky rol pritet t’i besohet Indrit Tucit, pas debutimit të suksesshëm në Tbilisi.

Me Dakun, të sigurtë në tribunë për shkak të pezullimit, sulmuesi 24 vjeçar preferohet përballë Uzunit, pavarësisht se ky i fundit po kalon një formë të shkëlqyer, pikërisht në rolin e qendërsulmuesit te Granada.