Kancelari gjerman Olaf Scholz bisedoi këtë të premte për herë të parë në dy vite nëpërmjet telefonit me presidentin rus Vladimir Putin për të kërkuar përfundimin sa më të shpejtë të luftës Rusi – Ukrainë nëpërmjet një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Ishte zëdhënësi i qeverisë gjermane që dha detaje mbi telefonatën që zgjati më shumë se një orë. Scholz i ka kërkuar Putinit që të tregojë gatishmëri për bisedimeje paqeje, ndërkohë që përpara kësaj telefonate ai bisedoi edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kremlini tha se përgjatë telefonatës me kancelarin gjerman, Putin ka theksuar se lufta erdhi si pasojë e politikës agressive të NATO-s ndaj sigurisë së vendit të tij.
Sipas Moskës, presidenti i tyre ështës shprehur i gatshëm që të rifillonte negociatat për një marrëveshje paqeje.
Vendimi i Olaf Scholz për të biseduar me presidentin rus mbi luftën në Europën Lindore vjen pasi Donald Trump I cili fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka deklaruar se do ti japë fund kësaj lufte që në ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Republikani ka deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet, ndihmat për Ukrainën do të marrin fund sepse kjo luftë nuk duhet të kishte nisur kurrë, ndërsa ka akuzuar presidentin Ukrainas Volodymir Zelensky se është një biznesmen i cili po merr taksat e amerikanëve.
Kreu i shtetit ukrainas në një intervistë për një radio në vendin e tij deklaroi këtë të premte se edhe ai beson që lufta mes Kievi dhe Moskës do të përfundojë shumë shpejt.
Zelensky u shpreh se ai i ka shpjeguar Trump-it kërkesat e Kievit dhe se nuk ka pasur asnjë kundërshtim nga presidenti i zgjedhur amerikan.
Zelensky u shpreh se shprehja “Ulu dhe dëgjo” dhe detyrimi për të ndërmarrë hapa që cenojnë integritetin territorial të vendit te tij nuk funksionojnë në dialog pasi Ukraina është një vend i pavarur. presidenti ukrainas tha se nuk ka një datë të saktë se kur lufta do të mbyllet./abcnews.al