TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka lënë për pak kohë qelinë e burgut. Ai u dërgua në Kryesinë e Kuvendit për të dëshmuar në Komisioni Hetimor për Sterilizimin.
Me pranga në duar dhe i shoqëruar me dy policë që e mbanin për krahu, ABC News ka siguruar momentin kur ish-ministri Ilir Beqaj ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për t’u pyetur nga deputetët.
Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë u firmos në 2015 dhe iu dha nga ministria e Shëndetësisë kompanisë SaniService, një bashkim kompanish ku biznesmeni Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit.
Në korrik të këtij viti, Beqaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje me hetimet për abuzimin me fondet e Agjencisë së Menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian.
Ish ministri i Shëndetësisë i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë për ndryshim të masës “arrest në burg” caktuar ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së parë në lidhje me hetimet për dosjen “SSPAC”.