Kamala Harris, gruaja e dytë që humbi përballë Donald Trump

schedule12:55 - 6 Nëntor, 2024

schedule 12:55 - 6 Nëntor, 2024

Kamala Harris nuk arriti të bëhej presidentja e parë femër e SHBA. Ajo është, në fakt, e dyta pas Hillary Clinton që nuk arrin të mundë kandidatin republikan Donald Trump.

Kamala Harris përfundimisht nuk arriti të bindë shumicën e rreth 244 milionë votuesve amerikanë me narrativën që ndërtoi: një ish-prokurore që kandidoi kundër një të dënuari, një avokate e të drejtave riprodhuese të grave kundër burrit që ndihmoi në përmbysjen e vendimit historik Roe v. Wade, një demokrate e gjeneratës së ardhshme që konkurroi kundër një republikani 78-vjeçar.

Arsyet e humbjes së saj janë të shumta.

Ajo hyri në garën presidenciale në “minutin e fundit” me vetëm tre muaj për të përgatitur fushatën e saj zgjedhore. Kur Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale më 21 korrik, Harris mori zyrtarisht bekimin e demokratëve, duke demonstruar aftësi organizative mbresëlënëse, rezultat i etikës së punës dhe shkathtësisë politike, siç vlerësojnë ekspertët.

Fushata e saj mblodhi 200 milionë dollarë vetëm në javën e parë, një rekord në historinë e fushatës presidenciale amerikane dhe më shumë se 38,000 njerëz u regjistruan në vote.org në 48 orët e para pas shpalljes së kandidaturës së saj.

Në këta tre muaj, Kamala Harris po luftonte kundër Donald Trumpit, por edhe kundër pengesave të krijuara për të, qoftë edhe pa dashje, nga Joe Biden.

Rryma e sondazheve që dukej se kishte, “u shua” përballë “efektit Trump”, pasi fitoi kandidati republikan, dhe në fakt me një diferencë të madhe, në shumicën e shteteve dhe mbi të gjitha në shtatë kyç./abcnews.al