Presidentja pro-perëndimore e Moldavisë, Maia Sandu shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës, duke mposhtur Alexandr Stoianoglo, rivalin e saj pro rus. Me 98% të votave të numëruara, Sandu kryesoi Stoianoglo me 54.35%, tha Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Fitorja e Sandu, e cila ka përshpejtuar përpjekjet për ta larguar vendin nga orbita e Rusisë dhe për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, shihet si një mbështetje e kursit pro-perëndimor që ajo ka ndjekur.
Presidentja e KE-së, Ursula von Der Leyen, uroi Maia Sandu përmes një postimi në rrjetin social X.
“Duhet një lloj force e rrallë për të kapërcyer sfidat me të cilat jeni përballur në këto zgjedhje. Jam e lumtur që vazhdoj të punoj me ju drejt një të ardhmeje evropiane për Moldavinë dhe popullin e saj.”, shkruan Von der Leyen.
E ardhmja e Moldavisë, një komb që ka alternuar drejtimet pro-ruse dhe pro-perëndimore që nga shpërbërja e sovjetikëve në vitin 1991, ka qenë në qendër të vëmendjes që kur Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në vitin 2022./abcnews.al


