Një vatër e gripit të shpendëve është konfirmuar në fshatin Mëzez në Tiranë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thotë se sëmundja e influencës aviare është konstatuar në një fermë oborri familjare. Shërbimi veterinar, sipas Ministrisë, ka karantinuar vatrën me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndaluar lëvizjen e shpendëve nga fermat e zonave pranë Tiranës, Vorës dhe Kamzës si dhe tregtimin e shpendëve të gjallë në mjedise të hapura dhe tregje.
Ndërkohë që për çdo dyshim I kërkon fermerëve të komunikojnë me shërbimin veterinar rajonal. Sipas ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deri më tani nuk ka prova epidemiologjike dhe shkencore se ky virus transmetohet nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë shtazore.
Megjithëkëtë rekomandohet që konsumi i këtyre produkteve të bëhet pas trajtimit termik, me temperaturë të larta mbi 75 gradë celcius.