TIRANË- Pushteti vendor do të marrë më shumë para nga buxheti i shtetit gjatë vitit të ardhshëm. Në total fondi rezulton se është 43.1 miliardë lekë ose 6.6 miliardë më shumë se gjatë këtij viti. Risi për këtë vit është edhe fondi për performancën që synon të nxisë punën e bashkive.
Eksperti për pushtetin vendor, Agron Haxhimali komentoi këtë qasje dhe fokus të shtuar të qeverisë qendrore mbi bashkitë.
Gjatë komentit në “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, ai tha se bashkitë në vend duhet të shtojnë disiplinën financiare, me qëllim rritjen e të ardhurave në sipërfaqen apo territorin që administrojnë.
“Lajm shumë i mirë, që do ketë më shumë para. Unë shoh më shumë avantazhe. Rritja në vlerë është shumë e mirë, rritja e transfertave të pakushtëzuara është shumë e mirë. Fakti që është planifikuar një disiplinë financiare për bashkitë është e duhur pasi për rrjedhojë do rrisin të ardhurat e tyre dhe ky është lajm i mirë. Bashkitë duhet ta rrisin shumë performancën e tyre. Ka nevojë për disiplinë financiare më të mirë dhe potencialin e të ardhurave duhet ta kenë më të mirë”, tha ai.
Ai pohoi se thelbi i gjithë kësaj është zhvillimi i kapaciteteve të pushteteve vendore për t’i shpenzuar këto para aty ku është nevoja, me qëllimin fundor të përmirësojë kushtet ekonomike të familjeve shqiptare.
“Duhet të këtë një ndarje më të drejtë. Shumë mirë që kemi shumë, topi është tani në fushën e bashkive. Çështja është që duhet të diskutohet sa do jemi të gatshëm t’i shpenzojmë mirë këto para dhe këto para a do përmirësojnë ekonomitë e familjeve?”, theksoi ai.
Sipas ekspertit vendor, bashkitë duhet të adresojnë ato sektorë, për të cilat qytetarët kanë më shumë nevojë. Ai apeloi që bashkitë të bëhen organe konkurruese dhe të mos presin para vetëm nga qeveria qendrore.
Sipas Haxhimali, bashkitë duhet të orientojnë resurset e tyre, me qëllim rritjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës si nevojë e domosdoshme për ekonomitë lokale.
“Duhet të përcaktosh se ku i ‘dhemb’ më shumë qytetarit. Qëllimi i bashkive është të hapin vende pune në bizneset e zonë. Ka ardhur koha që të kemi një formulë tjetër të buxhetit dhe qeveria po punon me ekspertët ndërkombëtarë, që të kemi një formulë tjetër. Çdo qytetar duhet ta marrë sasinë dhe cilësinë e shërbimeve, pavarësisht se ku jeton. Bashkitë duhet të jenë më racionale, të mos të jenë në pozicionin pritës, që thjesht shpenzojmë paratë e qeverisë, por të nxisin ekonominë lokale për atë grup apo sipërfaqe që ata menaxhojnë”, tha ai./ abcnews.al