Saimir Tahiri në SPAK: Isha për 21 janarin, dhashë sqarime si protestues dhe si një nga kallëzuesit

schedule10:53 - 1 Nëntor, 2024

schedule 10:53 - 1 Nëntor, 2024

TIRANË- Këtë të premte u paraqit në Prokurorinë e Posaçme ish-ministri Saimir Tahiri për të dhënë sqarime për “21 janarin”.

Pas daljes nga SPAK ku qëndroi për rreth një orë, Tahiri u shpreh për mediat se ka dhënë sqarime si protestues dhe si një nga kallëzuesit e ngjarjes tragjike.

U pyeta për rolin që kam pasur në datën 21 janar dhe për kallëzimin që kam bërë në vitin 2015. I qëndroj pikë për pikë atyre që kam thënë dhe nuk kam çfarë të shtoj. Të tjerat janë pjesë e hetimit. Unë kam qenë protestues. Të gjithë kemi qenë protestues, pjesët e tjera i takojnë hetimit. Shpresoj shumë, është një ngjarje që duhet zbardhur. Shpresoj shumë të zbardhet.”,  tha ai.

Ai është thirrur nga prokurori Alfred Shehu.

Hetimi për çështjen “21 janari” u regjistrua në SPAK në korrikun e këtij viti, në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë,  e cila urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit.

Për këtë, SPAK ka nisur veprimet duke marrë në pyetje disa ish-funksionarë të lartë të Policisë. Konkretisht, janë thirrur ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj dhe ish-zv.drejtori Agron Kuliçaj.

Më 21 janar të 2011, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues u vranë, përkatësisht Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Ditën e enjte ishte në SPAK dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, i cili u pyet nga prokurorët në cilësinë e personit që ka dijeni për 21 janarin. / abcnews.al