Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, foli menjëherë pas ndeshjes 0-0 kundër Vllaznisë për Supersport, ku tha se ky barazim po duket si humbje. Mes të tjerash, numri një i “Djemve të Detit” tha:
NDESHJA – “Ndeshja u mbyll 0-0 por ne kishim raste të shumta. Në momentet më vendimtare, nuk arritëm të konkretizonim. Lojtarët e dinë, të gjithë e dinë, ky është një problem i joni”.
TALENTET – “Kapllani bëri shumë mirë dhe ka kohë që është në planet e mia. Ai është një lojtar që do të na ndihmojë shumë, edhe kur të kemi dëmtime siç kishim sot. Këta lojtarët e rinj, që janë nga Akademia e klubit, ne iu japim mundësinë dhe deri më tani po bëjnë mirë”.
PROBLEMET – “Në fakt, barazimet po na duken si humbje, mua dhe të gjithë ekipet. Edhe presidentit i duken barazimet si humbje. Nuk po kalojmë një moment të mirë te shënimi i golit. Për mënyrën si luajmë, nuk po them që po luajmë mirë apo jo, por ekipi po bën atë që unë kërkoj. Pastaj nuk diskutohet që sot patëm edhe disa probleme të tjera që duhet t’i rregullojmë.
ALEKSI – “Unë personalisht, gjatë konferencave, nuk them se çfarë mungesash kam. Aleksi luajti sepse nuk kishim asnjë qendërmbrojtës. Kemi një qendërmbrojtës te moshat, por ai është i dënuar nga Komisioni i Disiplinës. Aleksi në qendër të mbrojtjes bëri shumë mirë dhe ne nuk kishim alternativa të tjera”, tha Shkëmbi. /abcnews.al


