Shqipëria e vajzave U-17 është gati për ndeshjen e parë ndaj Kosovës, e vlefshme për raundin e parë të kualifikueseve të Europianit 2025 për këtë grupmoshë. Nesër në “Elbasan Arena”, përfaqësuesja kuqezi, e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj do të luajë ndaj Kosovës, duke nisur nga ora 14:00.
Vajzat kuqezi janë grumbulluar në Durrës që prej ditës së dielë dhe kanë marrë ngarkesën e plotë fizike gjatë këtyre ditëve. Skuadra gëzon shëndet të plotë dhe formë të mirë fizike, me trajneren Lulaj që do të ketë në dispozicion të plotë të 20 vajzat.
Kombëtarja është pjesë e grupit B4, së bashku me Kosovën dhe Izraelin. Skuadra do të tentojë vendin e parë të grupit, për t’u ngjitur në Ligën A për edicionin e ardhshëm kualifikues të Europianit të vajzave për këtë grupmoshë.
Federata e Futbollit fton të gjithë tifozët shqiptarë të mbështesin kuqezinjtë e vegjël në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena”. Hyrja në stadium do të jetë falas. /FSHF