Qeveria iraniane propozon rritjen e buxhetit ushtarak me 200 për qind

schedule12:18 - 29 Tetor, 2024

schedule 12:18 - 29 Tetor, 2024

Qeveria iraniane ka propozuar rritjen e buxhetit ushtarak të vendit me 200 për qind për vitin e ardhshëm fiskal, i cili fillon më 21 mars 2025, tha një zëdhënës i qeverisë.

“Është propozuar një rritje e konsiderueshme prej 200 për qind e buxhetit ushtarak të vendit,” u shpreh Fatemeh Mohajerani në një konferencë javore për shtyp.

Zëdhënësi i qeverisë nuk tha se çfarë shumë do të ndahet vitin e ardhshëm për shpenzimet ushtarake.

Njoftimi u bë në kuadrin e rritjes së tensioneve rajonale në më shumë se një vit të fundit si rezultat i luftës në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit palestinez dhe përhapjes së saj në Liban, ku ushtria izraelite po lufton Hezbollahun, të cilin Teherani e mbështet financiarisht dhe ushtarakisht.

Izraeli njoftoi publikisht për herë të parë se kishte shënjestruar Iranin me sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake të shtunën.

Parlamenti i Iranit miratoi skicat kryesore të buxhetit të propozuar për vitin 2025, por ligjvënësit më pas duhet ta miratojnë zyrtarisht buxhetin në një votim të marsit 2025.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm (Sipri), një institucion referues për këto çështje, shpenzimet ushtarake të Iranit në vitin 2023 ishin rreth 10.3 miliardë dollarë (9.5 miliardë euro).

Sipas Sipri, SHBA mbetet vendi me shpenzimet më të larta ushtarake me 916 miliardë dollarë në 2023, sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, e ndjekur nga Kina me 296 miliardë dollarë.

Për krahasim, Kina ka njoftuar një rritje të buxhetit ushtarak prej vetëm 7.2 për qind për vitin 2024./abcnews.al