Trafik droge, kalim i paligjshëm kufiri dhe armëmbajtje pa leje/ Arrestohen tre shqiptarë në Greqi e Itali, pritet ekstradimi drejt vendit

schedule11:45 - 26 Tetor, 2024

schedule 11:45 - 26 Tetor, 2024

Tre shqiptarë janë arrestuar në Greqi dhe Itali për vepra të ndryshme penale. Policia njofton se, në bashkënim me autoritetet greke, është bërë i mundur arrestimi i një 45 vjeçari nga Memaliaj, i cili rezulton se në vitin 2017 është dënuar me 4 vite e 8 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Në vitin 2015, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, transportonte 100 kg lëndë narkotike kanabis me qëllim trafikimin. Nga dënimi total, 45-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 2 vjet e gjysmë burgim.

Në Greqi është arrestuar edhe një 31 vjeçar pasi në vitin 2023, gjykata e Korçës e ka dënuar atë me 4 vjet e 7 muaj burgim, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Nga dënimi total, 31-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 3 vjet e 8 muaj burgim.

Ndërkohë, në Itali është vënë në pranga një 49 vjeçar me katër mbiemra nga Mati. Në vitin 2022, Gjykata e Matit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ai akuzohet se më datë 31.12.2021, ka qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit në banesë, policia i gjeti armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Greqi dhe në Itali, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri./abcnews.al