BE: Vazhdojnë sanksionet për Kosovën/ Osmani: Na hiqni masat. Von der Leyen: Keni ende pune

schedule11:40 - 26 Tetor, 2024

schedule 11:40 - 26 Tetor, 2024

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen u ndal këtë të shtunë në Kosovë, në vijim të turit të saj në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Kryetarja e Unionit 27 anëtarësh u prit fillimisht në takim nga Presidentja  e Kosovës me të cilën mbajti edhe një conference për shtyp.  Në prononcimin e tyre për mediat, Presidentja Osmani bëri thirrje për heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën, masa këto të vëna nga Brukseli zyrtar për shkak të veprimeve destabilizuese  dhe të njëanshme të ndërmarra nga qeveria e Albin Kurtit vitin e shkuar në veri.

Por sipas Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Qeveria e Kosovës duhet të punojë akoma më shumë për heqjen e këtyre masave ndëshkuese.

“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjodo të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së.”

Në fjalën e saj Ursula Von Der Leyen njoftoi se Kosova do të përfitojë 60 milionë euro këtë vit nga Plani I Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, ndërsa përgëzoi Prishtinën Zyrtare për punën e saj për punën e bërë me Axhendën e Reformave.

Pas përfundimit të takimit  me Presidenten Osmani, Kryetarja e Komisioni Europian Ursula Von Der Leyen u takua edhe me kryemistrin e Kosovës Albin Kurtin.