Implementimi i AI për të kontrolluar bizneset/ Eksperti: Iniciativë e mirë, por të merret seriozisht. Benefitet që sjell

schedule14:24 - 25 Tetor, 2024

schedule 14:24 - 25 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi implementimin e Inteligjencës Artificiale për të luftuar abuzimet nga bizneset në deklarimin e pagave të punonjësve. Eksperti për teknologjinë dhe informacionin, Erjon Narko tha në emisionin “Money Report” se është një iniciativë shumë e mirë por duhet të jetë serioze

“Është iniciativë e mirë por kërkon të jetë serioze. Duhet të ketë të dhëna, të paktën strukturë të dhënash mbi 5-10 vjet. Kështu që në bazë të deklarimeve vjetore dhe taksat e biznesit, TVSH, taksat burim tatimi dhe kontributet janë të dhëna, mbi të cilat mund të bëhet vlerësimi se si do të kalkulohen taksat. Të dhënat janë, por duhet të instalohen sistemet dhe ka nevojë për infrastrukturë dhe njerëz të specializuar. Duhet të kemi që njësitë tona të tatim taksave të kthehen në njësi inteligjence që quhet date analytics. Duhet që një pjesë të zëvendësohen me profesionistë të rinj të fushës, që në bazë të llogaritjeve të sistemeve mbi modelet, këta njerëz do të thonë se në vitin kaq dhe muajin kaq, pres të ketë x të ardhura. Pra nisur nga historiku dhe modeli i parashikimit të të ardhmes. Këtu Brenda ka marzh gabimi dhe indikatorë matës, ku duhet të ngrihet një sistem i mirë pikëzimi për indikator si borxhi bruto i të gjithë vendit, lehtësia e të bërit biznes, problematika të tjera.”, tha eksperti.

I pyetur për benefitet, ai theksoi: “Do të kemi një sektor ku sistemi do të nxjerrë një pikë të verdhë paralajmëruese. Mendoj që duke parametrizuar në sistem marzhet e gabimit apo limitet, inspektorët do të flasin me biznesin kur të shohin se ka gjëra që nhuk shkojnë. Por inspektorët nuk do të mund të bëjnë lojëra duke marrë rryshfete. E dyta, biznesi duhet ta dijë shumë mirë se në çfarë niveli shkojnë taksat dhe e treta shmanget një pjesë e madhe e administratës që kontrollon taksat.

Ai theksoi se implementimi i një sistemi të tillë mund të kushtojë disa milion euro.

“Sisteme të tilla aktualisht në disa vende kanë kushtuar, psh Greqia ka bërë një përqasje një sistem inteligjent për kalkulimin e pronave, ngaqë njerëzit deklaronin më pak prona seç kishin, që këtë sistem ta bënte mbi vizualimin që japin dronet. U mor metër për metër toke nga Kadastra dhe secili u taksua sipas asaj që meritonte. Ne duhet të flasim për investime 1-2 vjeçare që të testohet. Duhet të flasim për investime disa milion euro.”, theksoi eksperti.

Sipas tij, sistemi mund të nxjerrë të dhëna të mëdha, duke nisur nga ecuria e biznesit deri te detyrimi i kompanive në deklarimin e pagave reale./acnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!