Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi të martën të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg” për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja i cili u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, mbrëmjen e 20 tetorit.
Gjykata e Posaçme po ashtu ka lënë në burg edhe Ahmet Mashën, i arrestuar gjithashtu nga SPAK, si bashkëpunëtor i Çyrbjas. Prokuroria e Posaçme e dyshon Jurgis Çyrbjan për tre vepra penale, “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Çyrbja dhe Masha ishin të dy të pranishëm në seancë, e cila u ndërpre për rreth 1 orë, për shkak se avokatët kërkuan kohë kohë të njihen me materialet e SPAK.
Brenda seancës, ish deputeti Çyrbja, nuk ka pranuar të jap shpjegime, por ka qenë pala mbrojtëse që ka pretenduar se Jurgis Cyrbja nuk ka përdorur kurrë aplikacionin “SKY”.
Por ndryshe thotë organi I akuzës, pasi sipas tyre, nga zbërthimi zbërthimi i komunikimeve në aplikacionin Sky ECc, janë zbuluar së paku, 7 raste, ku Jurgis Cyrbja ka nxjerr informacione, të klasifikuara si “sekret shtetëror”.
Pasi sigurinte informacionet, Cyrbja dyshohet se komunikonte me anë të aplikacionit “Sky ECC”, me personazhe të botës së krimit duke I njoftuar që janë shpallur në kërkim, apo për operacione që priteshin të zhvilloheshin nga policia e shtetit.
Po ashtu, Çyrbja akuzohet se edhe pse në kërkim nga autoritetet, ka ndihmuar në këmbim të votave, Altin Hajrin, pronarin e resortit Golden në Shijak të akuzuar si pjesëmarrës në marrjen peng dhe zhdukjen e Jan Prengës, në 2020-ën .
Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin një ditë pasi u thirr nga SPAK, pas hetimit të ish deputetit edhe për veprimtarinë e tij si ish drejtor i Hipotekës së Durrësit në vitet 2013-2016, kohë kur dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në katër raste gjatë procedurave për prona dhe legalizime. /abcnews.al