TIRANË- Në fjalën para kandidatëve të rinj që aspirojnë për deputete Edi Rama ka kërkuar angazhimin e tyre në rrugëtimin sfidues, në të cilin kanë hyrë.
“Ne e kemi shumë seriozisht këtë proces sepse ka ardhur ky moment në këtë histori të pas-rënies së diktaturës kur një gjeneratë e dytë, me këtë kam parasysh gjeneratën e atyre që sot janë në nivelin udhëheqës të PS dhe faktikisht pjesa më e madhe e tyre e kanë nisur rrugën si lojtarë të skuadrës së të rinjve kur unë erdha në krye të PS, do të filloj t’i bëj vend , do t’i krijoj hapësirë, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme një gjenerate të tretë, tha ai.
Duke e quajtur procesin aktual, proces riformësimi, kryetari i Partisë Socialiste tha se kjo forcë politike i ka të qarta synimet për mandatin e katërt dhe Shqipërinë 2030.
“Të merresh me politikë nuk do të thotë që domosdoshmërish të merresh me një punë të pistë. Të merresh me politikë do të thotë të merresh me diçka që është shumë fisnike dhe si çdo gjë tjetër, varet nga duart. Duart e pastra bëjnë një punë të caktuar, duart e pista bëjnë një tjetër. Duart e afta bëjnë një punë të caktuar, duart e pafata bëjnë një tjetër”, tha ai.
Me të rinjtë, përpara mbledhjes së Kryesisë, Rama nuk ka dhënë asnjë koment për arrestimin e Ilir Metës. Në selinë e PS diskutimi me kandidatët për të qenë në listën për deputet ia la vendin mbledhjes së kryesisë, aty ku analizohen të dhënat në prag të zgjedhjeve parlamentare./ abcnews.al