Gola nga Uzuni e Mitaj/ Sulmuesi kuqezi realizon 2 herë në Spanjë, mbrojtësi i Kombëtares bëhet hero në Arabinë Saudite

schedule19:56 - 20 Tetor, 2024

schedule 19:56 - 20 Tetor, 2024

Duket se me të vërtetë po rikthehet.

Myrto Uzuni pati një periudhë të vështirë që kur skuadra e tij, Granada, u kthye në Ligën e Dytë të Spanjës, por tashmë momenti negativ ka përfunduar.

Sulmuesi kuqezi, që duket se nuk po kombinohet mirë me ngjyrat e kombëtares, gjithsesi ka nisur të shkëlqejë fort në gadishullin iberik.

Beratasi realizoi dy herë në fitoren 4-0 që Granada pati kundër Tenerifes.

Ishte pikërisht, futbollisti shqiptar që I dha rrugë suksesit pasi realizoi dy rrjetat e para në minutat 20 e 33.

Kjo do të thotë, katër gola në 5 ndeshjet e fundit në të cilat është aktivizuar në Ligën e Dytë spanjolle, ndërsa dy herë ka qenë edhe kapiten I Granadës.

Gjithsesi, Uzuni bëri xhiron e botës për një veprim të tij.

Siç thekson e përditshmja “Marka”, ai deshi të puthte stemën e klubit, por puthi krahun e gabuar të fanelës, atë ku ishte sponsori Adidas.

Ndërkaq, një protagonist I papritur ishte Mario Mitaj.

Mbrojtësi I kombëtares shqiptare shënoi gol në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite.

Skuadra e tij, Al Itihad, fitoi 3-1 ndaj rivalit Al Kadisiah, dhe Mitaj vulosi suksesin me golin e tretë në minutën e 81-të, ndërsa hyri si zëvendësues dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë.

Al Itihad është pretendent për titull, duke qenë vetëm tri pikë prapa kryesueses dhe kampiones Al Hilal.

Gjithsesi, nuk kemi vetëm lajme të mira nga lojtarët shqiptarë jashtë vendit.

Indrit Tuci pësoi dëmtim në sfidën e Spartës së Pragës në Ligën e Parë të Çekisë, fituar 2-1 në shtëpi ndaj Liberecit.

Sulmuesi kuqezi ishte aktiv në pjesën e parë, ndërsa në formacionin e kampiones çeke ishin edhe sulmuesit nga Kosova, Rrahmani e Krasniqi.

Ai u zëvendësua në pushim, dhe do të priten kontrollet mjekësore për të kuptuar shkallën e dëmtimit. /abcnews.al