“Amnistia e pensioneve”, përfitojnë 30 mijë/ Njihen vitet e punës para ‘94 dhe nëse qytetarët nuk kanë dokumente

schedule15:15 - 20 Tetor, 2024

schedule 15:15 - 20 Tetor, 2024

SHQIPËRI- Njihen periudhat e punës në ish-ndërmarrjet shtetërore para vitit 1994 për efekt pensioni edhe kur qytetarët nuk kanë dokumentet e nevojshme.

Projektligji tashmë është hedhur për konsultim dhe ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni, të periudhave të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për ata qytetarë që nuk kanë mundur të sigurojnë dokumentacionin përkatës.

Kjo synon përfitimin e një pensioni, të paktën sa pensioni social.

Ky ndryshim në ligj ka ardhur si pasojë e një sërë problematikash të evidentuara ndër vite si: mungesë e plotë të dhënash, të dhëna të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, identitete të pasakta apo fletë të dëmtuara.

.Për shkak të problematikave dhe kompetencave të kufizuara të strukturave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë, nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni.

Shumë qytetarë janë penalizuar, sepse nuk kanë pasur periudha kontributive pas vitit 1994, dhe nuk arrinin të  plotësonin kushtin minimal të  periudhës së sigurimit, gjë që ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesëpadi për njohjen e këtyre periudhave.

Për personat që kanë punuar në ish kooperativat bujqësore, rezulton një kosto vjetore e shtuar për 7,500 pensione në vlerën 1.7 miliardë lekë në vit ndërsa për personat që kanë punuar në ish ndërmarrjet bujqësore dhe ndërmarrje shtetërore rezulton një kosto vjetore e shtuar për 22,000 pensione, në vlerë 5.2 miliardë  lek .Pra në total kostoja minimale e shtuar vjetore rezulton  6.9 miliardë  lekë në vit

Për vitin 2024, mosha për përfitimin e pensionit të pleqërisë për burrat është 65 vjeç ndërsa për gratë është 61 vjeç e 8 muaj, ndërsa periudha minimale e sigurimit është e njëjtë për te dyja kategoritë, 15 vite./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!